16.3.2026
ILLYRIA Life forcon kapacitetet në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve!
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin profesional të stafit dhe për forcimin e praktikave të menaxhimit të risk-ut dhe sigurisë së informacionit, ILLYRIA Life mori pjesë në trajnimin profesional “Cybersecurity Assurance & Incident Response – From Requirements to Readiness, From Incidents to Resilience”, i cili u zhvillua më 3–4 mars 2026 në ambientet e Xheko Imperial - Tiranë.
Në këtë trajnim morën pjesë dy përfaqësuese nga ILLYRIA Life, Fatime Beshiri, Udhëheqëse e Funksionit të Pajtueshmërisë dhe Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Donika Devaja, Auditore e Brendshme të cilat patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi praktikat më të avancuara të sigurisë kibernetike, auditimit të sistemeve të informacionit dhe menaxhimit të incidenteve digjitale.
Programi intensiv dyditor ishte i dizajnuar për udhëheqës të funksionit të pajtueshmërisë, profesionistë të auditimit të brendshëm, specialistë të risk-ut, ekspertë të sigurisë së informacionit dhe zyrtarë të pajtueshmërisë, të cilët kanë një rol kyç në vlerësimin dhe monitorimin e riskut kibernetik në organizata. Trajnimi kishte për qëllim forcimin e aftësive të pjesëmarrësve për të vlerësuar kuadrin e sigurisë kibernetike, për të analizuar nivelin e gatishmërisë së organizatave ndaj incidenteve dhe për të kontribuar në ndërtimin e një infrastrukture më reziliente ndaj kërcënimeve digjitale.
Gjatë ditës së parë të trajnimit, pjesëmarrësit u fokusuan në aplikimin praktik të kërkesave të IIA për sigurinë kibernetike, duke analizuar mënyrën se si auditimi i brendshëm mund të vlerësojë efektivitetin e kontrollit të sigurisë së informacionit, menaxhimin e aksesit, mbrojtjen e të dhënave dhe menaxhimin e risk-ut që lidhet me palët e treta. Gjithashtu u trajtua integrimi i riskut kibernetik në programet e auditimit dhe identifikimi i dobësive të mundshme në sistemet e kontrollit.
Dita e dytë u përqendrua në menaxhimin e incidenteve kibernetike dhe në rolin e organizatave në reagimin efektiv ndaj tyre. Pjesëmarrësit analizuan ciklin e plotë të një incidenti kibernetik, nga zbulimi dhe eskalimi i tij deri tek raportimi, analiza pas incidentit dhe përmirësimi i proceseve për të rritur reziliencën organizative. Trajnimi përfshiu gjithashtu diskutime mbi përgjegjësitë e strukturave drejtuese dhe ekipeve të sigurisë gjatë incidenteve kritike.
Trajnimi u drejtua nga eksperti ndërkombëtar Komitas Stepanyan, një profesionist me mbi 20 vite përvojë në fushën e sigurisë së informacionit, auditimit të IT-së dhe menaxhimit të riskut kibernetik. Ai ka kontribuar në projekte të rëndësishme ndërkombëtare në bashkëpunim me institucione si International Monetary Fund dhe World Bank, duke ofruar ekspertizë në rregullimin financiar, transformimin digjital dhe mbikëqyrjen e riskut teknologjik.
Pjesëmarrja në trajnime të tilla profesionale është pjesë e strategjisë së ILLYRIA Life për të investuar në zhvillimin e vazhdueshëm të stafit dhe për të forcuar kulturën organizative të menaxhimit të risk-ut dhe sigurisë së informacionit. Duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare dhe duke zhvilluar ekspertizën e brendshme, kompania synon të sigurojë standarde të larta të besueshmërisë dhe mbrojtjes së të dhënave për klientët dhe partnerët e saj.
Në një kohë kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse, zhvillimi i kapaciteteve profesionale dhe ndjekja e trajnimeve të specializuara mbeten elementë kyç për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për operacionet dhe shërbimet financiare. Gjithashtu, iniciativa të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet funksioneve kyçe brenda organizatave, duke krijuar mundësi për socializim profesional, shkëmbim përvojash dhe ndarje të praktikave më të mira në menaxhimin e risk-ut dhe sigurinë kibernetike.
#ILLYRIALife #SavaInsuranceGroup #MesNjerezveTeMire #AsnjehereVetem


