29.9.2025

ILLYRIA Life hap dyert për studentët e Fakultetit të Ekonomisë për praktikë dhe punësim!

Kompania e Sigurimeve të Jetës ILLYRIA Life dhe Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës zyrtarizuan një marrëveshje bashkëpunimi, që synon krijimin e mundësive konkrete për studentët, nga përfshirja në projekte praktike dhe kërkimore, deri te trajnimi, zhvillimi profesional dhe ofrimi i vendeve të punës.

Ky bashkëpunim nuk është vetëm një marrëveshje formale, për ILLYRIA Life është një angazhim zemre dhe një reflektim i vlerave tona të përbashkëta. E ndjejmë si obligim të thellë që të kontribuojmë në fuqizimin e institucioneve publike që për vite me radhë kanë ndërtuar breza profesionistësh, siç është Universiteti i Prishtinës. Kjo është mënyra jonë për të kthyer diçka prapa, për të ndihmuar aty ku ka filluar rrugëtimi i shumë prej nesh.

Studentëve të Fakultetit të Ekonomisë do t’u ofrohet mundësia që të përfshihen në ambientin real të punës brenda ILLYRIA Life, të mësojnë nga profesionistë të fushës dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në mënyrë të strukturuar dhe praktike, me synim që këto mundësi të shndërrohen në angazhime të plota pune.

Me këtë bashkëpunim, ILLYRIA Life rikonfirmon përkushtimin e saj për të qenë jo vetëm një kompani lidere në industrinë e Sigurimeve të Jetës, por edhe një partner i qëndrueshëm i shoqërisë, duke i dhënë prioritet edukimit, inovacionit dhe përgatitjes së gjeneratës së ardhshme të profesionistëve.

#ILLYRIALife #SavaInsuranceGroup #MesNjerezveTeMire #AsnjehereVetem 

UP1

UP2

UP3