22.9.2025
Konferenca e Riskut dhe Aktuaristikës, organizuar nga Sava Insurance Group
Javën që lamë pas, më 16 dhe 17 Shtator 2024, përfaqësues nga ILLYRIA Life, konkretisht nga departamenti i Riskut dhe Aktuaristikës, morën pjesë në konferencën e radhës të mbajtur në Rogaška Slatina, Slloveni, organizuar nga Sava Insurance Group.
Këtë vit, konferenca ishte e fokusuar kryesisht në profitability tracking për produktet e sigurimeve të jetës, duke ofruar njohuri të thelluara mbi metodat moderne të analizës së të dhënave dhe përdorimin e Power BI për të matur performancën financiare në kohë reale.
Pas një kafeje mirëseardhjeje, dita e parë nisi me prezantime të fokusuara në tema kyçe për sektorin: fitueshmëria e produkteve të jetës, mjedisi makroekonomik dhe aplikimi i tij në sigurime, si dhe ndryshimet në legjislacionin përkatës. Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime të hapura mbi ndikimin e këtyre faktorëve në zhvillimin dhe pozicionimin e produkteve në treg, duke ndarë përvoja dhe praktika që mund të ndihmojnë në përshtatjen ndaj sfidave të vazhdueshme të tregut.
Pasdite, konferenca vazhdoi me një aktivitet team building, i cili kontribuoi në krijimin e një atmosfere të hapur dhe bashkëpunuese mes kolegëve nga vende të ndryshme të grupit.
Dita e dytë e konferencës kishte karakter më praktik, me fokus në mënyrën se si njohuritë e marra mund të zbatohen në mënyrë konkrete në procedurat e brendshme. Pjesëmarrësve iu prezantuan guida praktike dhe shembuj konkretë, me theks të veçantë në përdorimin e Power BI për analizimin e profitabilitetit, performancës dhe indikatorëve kyç, që ndihmojnë në marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna.
Në vazhdim, u mbajtën takime të ndara me drejtuesit e departamenteve, ku përfaqësuesit e ILLYRIA Life patën mundësinë të diskutojnë në mënyrë të fokusuar me ekipin e riskut dhe ekipin e aktuaristikës. Këto takime shërbyen si hapësirë për të adresuar sfida specifike, ndarë praktika të dobishme dhe propozuar ide konkrete për përmirësime të mëtejshme.
Konferenca e këtij viti në Rogaška Slatina solli një përvojë të pasur për ekipin e ILLYRIA Life, duke kombinuar përditësimin profesional me mundësinë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kolegë nga vende të tjera të grupit. Njohuritë dhe qasjet praktike të ndara gjatë sesioneve do të ndihmojnë në fuqizimin e analizave të brendshme, rritjen e efikasitetit dhe zhvillimin e qasjeve të reja ndaj menaxhimit të riskut dhe aktuaristikës.
Me fokus të shtuar në teknologji si Power BI dhe në analizën e profitabilitetit të produkteve, ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më të avancuar, të bazuar në të dhëna dhe rezultate konkrete.Kjo përvojë jo vetëm që forcoi njohuritë profesionale të pjesëmarrësve, por gjithashtu forcoi lidhjet dhe bashkëpunimin brenda një grupi që mbështet zhvillimin dhe rritjen e vazhdueshme.
#ILLYRIALife #SavaInsuranceGroup #MesNjerezveTeMire #AsnjehereVetem