4.6.2025
Konferenca e organizuar nga Sava Insurance Group, Moravske Toplice 2025!
Në fund të muajit maj, në ambientet relaksuese të Terme 3000 në Moravske Toplice, Slloveni, u zhvillua me shumë sukses konferenca e përvitshme e organizuar nga Sava Insurance Group e cila këtë vit mblodhi së bashku mbi 140 pjesëmarrës nga të gjitha kompanitë anëtare të grupit. Konferenca mbuloi fusha kyçe të veprimtarisë së grupit si: Shitjet, Marrja në Sigurim (Underwriting), Dëmet dhe Zhvillimi, Sigurimet e Jetës dhe Pensioneve, si dhe Qeverisja e Grupit.
Punimet e konferencës u hapën në orët e mëngjesit me mbërritjen e pjesëmarrësve dhe mirëseardhjen zyrtare. Hapjen e sesionit plenar e bëri z. Peter Skvarča, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Sava RE, i cili prezantoi rezultatet më të fundit të arritura nga grupi, duke reflektuar mbi sfidat dhe sukseset e periudhës së kaluar. Më tej, vijuan prezantimet mbi analizën e tregut, sjellë nga z. Rok Moljk dhe z. Dejan Rajković, ndërsa pjesa e parë e konferencës kulmoi me prezantimin shumë inspirues të z. Davor Fabčič nga Mercuri International mbi fuqinë e Inteligjencës Artificiale në procesin e shitjeve.
Pas pushimit të parë për kafe, konferenca u ndau në seksionet tematike, duke mundësuar thellimin profesional në secilën fushë:
- Seksioni i Shitjeve, i udhëhequr nga Rok Moljk, adresoi tema aktuale dhe praktike si përdorimi i KPI-ve elektronikë dhe mikro-trajnimeve digjitale, zhvillimet në sistemet FrontEnd, aktivitetet e bancassurance, sfidat në shitjen e produkteve të pensioneve dhe sigurimeve të tjera.
- Seksioni i Sigurimeve Jo-Jetë (Dëmet dhe Zhvillimi), i moderuar nga Milan Viršek, u përqendrua fillimisht në tema të përgjithshme si të ardhmen e industrisë së sigurimeve dhe teknologjitë për detektimin e avancuar të mashtrimeve. Pas drekës, sesioni vazhdoi me diskutime të fokusuara në segmentin e sigurimeve shëndetësore.
- Seksioni i Sigurimeve të Jetës dhe Pensioneve, i drejtuar nga Pavel Gojkovič, përfshiu prezantime të shumta inovative si: zhvillimet e produkteve të sigurimeve shëndetësore të lidhura me rreziqet, ristrukturimet në sigurimin e mbrojtjes së kredive, sigurimet e integruara në paketat bankare, hyrjen e produkteve të reja në tregun e Kosovës si sigurimi për sëmundje kritike, si dhe prezantimin e platformës së re të investimeve për sigurimet e jetës.
- Seksioni i Marrjes në Sigurim (Underwriting), i moderuar nga Matevž Benec, u zhvillua përmes një rasti studimor interaktiv, ku pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune për të trajtuar raste praktike, duke demonstruar aftësitë analitike dhe praktikat e avancuara në menaxhimin e riskut.
Programi u shoqërua edhe me pushime të rregullta për kafe, të cilat shërbyen si momente të shkëlqyera për rrjetëzim, shkëmbim të ideve dhe përforcim të bashkëpunimeve ndërmjet kolegëve nga vendet e ndryshme.Për pjesëmarrësit, organizatorët kishin planifikuar edhe pauza relaksuese gjatë pasdites, duke u ofruar mundësinë që të shijojnë ambientet termale të Terme 3000 dhe të krijojnë kontakte të reja profesionale në një atmosferë më të lirshme.
Dita përfundoi me një darkë të përbashkët festive e cila, ashtu si çdo vit, krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe argëtuese. Muzika dhe organizimi i kujdesshëm i mbrëmjes i dhanë ngjarjes notën e duhur për të përmbyllur me sukses edhe këtë edicion të konferencës.
ILLYRIA Life ishte e pranishme si gjithmonë me përfaqësuesit e saj, të cilët morën pjesë aktive në sesionet përkatëse, duke dhënë kontributin e tyre profesional në zhvillimet e sektorit të sigurimeve të jetës dhe pensioneve.
Edhe këtë vit, konferenca e Sava Insurance Group dëshmoi se bashkëpunimi, ndarja e përvojave dhe përkushtimi i përbashkët për zhvillim janë çelësi për të avancuar vazhdimisht në industrinë e sigurimeve, duke mbetur të fokusuar në ofrimin e shërbimeve cilësore për klientët tanë në të gjitha tregjet ku operojmë.
#ILLYRIALife #SavaInsuranceGroup #MesNjerezveTeMire #AsnjehereVetem